Ish-deputetja Monika Kryemadhi foli sot në emisionin “Shqipëria Live” për vendimin e GJKKO-së të një dite më parë. Gjykata e shpalli fajtore nënën e saj dhe e dënoi me 2 vite shërbim prove.
“Nuk është fitore vendimi, sepse shtëpinë ma ka thyer Apeli që në vitin 2024”, tha Kryemadhi. Sipas saj, prokurori kërkoi konfiskimin e një shtëpie që u ndërtua me klering dhe jo me para të pastruara. “Kur thua pastron, është bërë një vepër penale… Cila është vepra penale që ka bërë? Ka shkelje procedurash dhe do të kërkoj të drejtën deri në fund për të”, deklaroi ajo.
Kryemadhi pretendon se nëna e saj nuk ka bërë asnjë shkelje. Sipas saj, hetimet ndaj nënës nisën vetëm sepse është nëna e Monika Kryemadhit dhe ish-vjehrra e Ilir Metës.
Në emision, Kryemadhi u shpreh e habitur me qëndrimin e partisë së Metës gjatë Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Në mbledhje ishte e pranishme Komisionerja Marta Kos. Kryemadhi tha se përfaqësuesit e partisë, me referencë te Tedi Blushi, nuk folën asnjë fjalë për atë që ajo e quan burgim politik të Metës.
Si shembull, ajo kujtoi arrestimin e Fatos Nanos. “Ne nuk na kishte thënë kurrë Fatos Nano, kur u arrestua nga Sali Berisha, që të mos reagonim. E gjithë PS-ja u strukturua dhe ishim në të gjitha institucionet ndërkombëtare, ku flisnim për burgosjen politike të tij”, tha ajo.
“Të është burgosur për shkak të pozicionit, kryetari i partisë, në mënyrë që të mos ekzistojë më, dhe ti të vetmen mënyrë që ke është reagimi. Edhe sikur vetëm në rrjetet e tua sociale. Nëse thua një fjalë të vërtetë, njerëzit të ndjekin”, shtoi Kryemadhi.




























