Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar në selinë e PD-së, ku një nga temat kryesore të diskutimit ka qenë reforma territoriale.
Gjatë takimit, kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka kritikuar mënyrën se si Partia Demokratike është përfshirë në procesin e rishikimit të hartës territoriale.
Sipas tij, opozita duhej të kishte vendosur që në fillim disa parime të qarta për numrin e bashkive dhe modelin që do të ndiqej.
“Është gabim që në zanafillë që morëm pjesë në komisionet e rëndësishme që në hapat e parë. Nuk u konsultuam me mazhorancën në parim për uljen apo rritjen e numrit të bashkive. Nuk u qartësuam nëse do të ndryshohej sistemi apo do të përmirësohej”, u shpreh Ndoka.
Ai kritikoi edhe dëgjesat e zhvilluara në qytete, duke thënë se partitë aleate nuk ishin njoftuar për to.
“Ne si parti aleate nuk u njoftuam fare, nuk dinim as kur organizoheshin dëgjesat. Në fund u vumë përballë një fakti të kryer”, tha Ndoka.
Sipas tij, as propozimi i PD-së për 100 bashki nuk është i mjaftueshëm.
“Edhe numri 100 duhej të ishte shumë më i madh. Kemi mundësitë për të pasur 200 bashki në vend”, deklaroi ai.
Ndoka argumentoi se një numër më i madh bashkish do të ndihmonte pluralizmin dhe përfaqësimin politik në nivel vendor.
Ai kritikoi gjithashtu vendimin për t’ua lënë njësitë administrative në varësi të kryetarëve të bashkive, duke e konsideruar këtë një mekanizëm që ka forcuar pushtetin e mazhorancës.
Ndoka u ndal edhe te strategjia politike e opozitës, duke deklaruar se bojkoti i zgjedhjeve dhe dalja nga sistemi i kanë dhënë avantazh mazhorancës.
“Ne për fatin e keq ia kemi përsosur sistemin e tij Ramës. Me bojkotin e zgjedhjeve dhe daljen nga sistemi. Me këtë dhuratë është bërë shumë më i rrezikshëm”, tha ai.
Ndoka shtoi se opozita duhet të ketë një aksion politik më të qartë dhe jo vetëm protesta të izoluara.
“Ky është aksion politik, jo të thirrim një protestë kot, pa një lëvizje dhe ide konkrete. Pakënaqësia ndaj Ramës është e madhe, por ai shfrytëzon këto mekanizma”, u shpreh Ndoka.
Në përgjigje, Berisha falënderoi Ndokën për vërejtjet, por theksoi se opozita ndodhet përballë një zgjedhjeje të vështirë mes qëndrimit brenda institucioneve dhe daljes prej tyre.
“Kjo është një opozitë në diktaturë dhe kemi vetëm dy opsione. Opozita ose vendos të dalë jashtë institucioneve, ose të vazhdojë betejën brenda institucioneve”, tha Berisha.
Ai shtoi se bojkoti nuk e ndalon mazhorancën të zhvillojë zgjedhjet.
“Po nuk more pjesë në zgjedhje, ai i zhvillon siç e bëri”, deklaroi Berisha.



