Është lënë në arrest shtëpie Enea Zyferi, kamerieri i lokalit të Armand Shakajt, ky i fundit i dyshuar si autor i rrëmbimit dhe vrasjes së 34-vjeçarit Eglant Koçit.

Gazetarja Anila Hoxha, bën me dije se Gjykata e Apelit ka hequr masën e arrestit me burg për Zyferin, duke e lënë atë në arrest shtëpie, ndërsa mbi të rëndon akuza e përkrahjes së autorit në krim të ndodhur në qershor të 2026.

Kujtojmë se pasi u arrestua, Zyferi kishte deklaruar gjithë çfarë kishte ndodhur në lokal natën që dyshohet se është kryer krimi.

Pas arrestimit, Zyferi ka deklaruar: Punoj në lokalin e Armand Shakajt si kamerier. Ditën që thotë prokuroria, e kam parë Eglantin kur ka hyrë në lokal, sepse e njoh. Më pas nuk e kam parë më, nëse ishte larguar apo jo. Ndërkohë, Armand Shakaj më ka thënë që të fikja dritat e lokalit, për shkak se kishte për të nxjerrë një frigorifer. Unë i kam fikur dritat. Të nesërmen, Armandi më ka thënë që të shkoj të laja makinën në një vend larg andej, diku nga fundi i bulevardit të ri. Kam shkuar atje dhe më ka kapur policia. Unë nuk kam lidhje me këtë ngjarje.

Sipas hetimeve të prokurorisë, nga këqyrja e kamerave të sigurisë, pasi janë fikur dritat, shikohet Armand Shakaj duke tërhequr diçka në dukje qese të zezë, të cilën e ka futur në makinë dhe është larguar. Trupi i të riut u gjet pas disa ditësh kërkime, i hedhur në një greminë në zonën e Cerujës, midis Tiranës dhe Elbasanit.