Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit për biznesmenin italian Francesco Becchetti i dënuar me 12 vite burg.
Becchetti është shpallur fajtor për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh përmes një skeme mashtrimi me TVSH me vlerë rreth 38 milion euro. Fillimisht, Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 17 vite, por pas ankimit nga biznemeni, Gjykata e Apelit i uli dënimin në 12 vite.
Ulja e dënimit nga Apeli u dha bazuar në aplikimin e nenit 55, që parashikon bashkimin e dënimeve në një të vetëm. Me këtë vendim të ditës së sotme Gjykata e Lartë, ka konfirmuar uljen me 5 vite të dënimit për Becchettin nga ai fillestar prej 17 vitesh burg.
I akuzuari tjetër në këtë proces, Mouro de Renzis u dënua përfundimisht me 12 vite burg, nga 16 vjet burg që e dënoi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.
Ai është shpallur fajtor për akuzat “Falsifikim të dokumenteve”, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Krijimi i skemave mashtruese” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”. Bashkimi i të gjitha akuzave në një të vetëm, solli uljen e dënimit me 4 vite.
Ndërsa në fuqi u la dënimi për Eriona Troplinin dhe Liliana Condimitti, të dënuara me nga 8 vite burg secila.
Biznesmeni italian akuzohet për 4 vepra penale; “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Francesco Becchetti vazhdon të jetë në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar. Prej vitit 2015 ai është në kërkim.




























