Vendimi i dytë i Gjykatës Speciale në Hagë për ish presidentin Hashim Thaçi, i cili u dënua me 17 muaj burg për akuzën “Pengim të administrimit të drejtësisë” ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë.

Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar vendimin të papranueshëm dhe të turpshëm. “Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj gjykate. Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton”, deklaroi kryetarja Vlora Çitaku.

Edhe deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, reagoi përmes një deklarate: “34 vite pas lindjes së Ushtrisë Çlirimtare, më 17 nëntor 2026, në Hagë u dha një tjetër vendim dënues, si pasojë e pengimit të drejtësisë. Në të vërtetë, kjo nuk ka ndodhur, por ky është këndvështrimi evropian për Republikën e Kosovës në administrimin e politikave të saj të brendshme, si një vend i paaftë dhe jo garantues!”,  tha Haziri.

Qeveria e Kosovës ngriti shqetësime për mënyrën se si funksionojnë Dhomat e Specializuara në Hagë. Ne reagimin e saj bëri të qartë se nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Dhomave të Specializuara, duke ngritur sërish shqetësime për mungesën e transparencës, respektimin e të drejtave të palëve dhe garantimin e një gjykimi të drejtë. “Besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Përmes një deklarate, Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula shprehet se aktgjykimi i sotëm ngre shqetësime sa i përket respektimit të të drejtave.

“Çdo institucion i Republikës së Kosovë, duke përfshirë edhe Dhomat e Specializuar, duhet të veprojë në pajtim me juridiksionin që ka në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duhet të respektojë të drejtat që i përmban Kapitulli II i Kushtetutës dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që janë të garantuara me Nenin 22 të Kushtetutës. Çdo proces gjyqësor duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, duke garantuar të drejtat e të akuzuarve dhe respektimin e procedurave ligjore. Aktgjykimi i sotëm i Dhomave të specializuara ngre shqetësime sa i përket respektimit të të drejtave të palëve”, thuhet në reagimin e presidencës.

Ndërkohë, platforma “Liria ka Emër” organizoi një tubim simbolik përpara zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë. “Evropë, ku është drejtësia?”, ishte ky mesazhi që u përcoll përmes një pankartë.

Djali i Kadri Veselit, Klestori, në një reagim shkruan se vendimi është instrumentalizim dhe përdorim i drejtësisë për të diskredituar një figurë historike. Ai kërkon reagim nga institucionet ndërkombëtare dhe dënimin e përdhosjes të së vërtetës që po bën Gjykata e Hagës.

“Një pështyrje në fytyrë ndaj sundimit të ligjit. Një instrumentalizim dhe përdorim i drejtësisë si armë për diskreditimin e një figure historike dhe UÇK-së që ai përfaqëson. Është urgjente që shteti t’i inkurajojë institucionet ndërkombëtare të kthejnë sytë në atë që po ndodh në Hagë dhe kjo përdhosje që po i bëhet të vërtetës dhe të drejtës nga ajo gjykatë, të dënohet”, shkruan ai.