Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 32-vjeçare me iniciale B.H., e cila punonte si edukatore në një kopsht privat në kryeqytet.
Sipas dyshimeve të autoriteteve, edukatorja ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar në ambientet e institucionit ku ajo ushtronte detyrën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 kanë kryer arrestimin e saj, ndërsa rasti është referuar për hetim të mëtejshëm.
Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë, e cila do të vijojë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.
Policia ka nisur verifikimet për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes dhe nëse ka persona të tjerë përgjegjës lidhur me rastin.


