Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 35 vite burg për shtetasin Vladimir, i akuzuar për vrasjen me paramendim të shtetasit Briken Sanajt, ngjarje e ndodhur në zonën e “Kodrës së Diellit” në Tiranë.

Sipas organit të akuzës, vrasja është kryer për motive hakmarrjeje, për shkak të një konflikti të mëparshëm që autori kishte pasur me vëllain e viktimës.

Në përfundim të hetimeve për procedimin penal të nisur në vitin 2022, Prokuroria ka kërkuar gjithashtu dënime me burg për katër persona të tjerë, të akuzuar për moskallëzim të krimit, përkrahje të autorit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Sipas hetimeve, Kola kishte pasur vite më parë një konflikt me vëllain e viktimës, R.S., ndërsa familjarët e tij pretendonin se ky i fundit kishte qenë përgjegjës për plagosjen e të afërmit të tyre. Prokuroria vlerëson se ky konflikt i mëparshëm ka qenë motivi i vrasjes së Briken Sanajt.

Organi i akuzës pretendon gjithashtu se pas kryerjes së krimit, Vladimir Kola. ka ndërmarrë veprime për të shmangur gjurmët, duke hyrë dhe dalë nga Shqipëria përmes Malit të Zi. Ai dyshohet se ka blerë edhe automjetin e përdorur në ngjarje pa kryer procedurat përkatëse noteriale.

Në lidhje me këtë dosje, Prokuroria ka kërkuar 3 vite burg për shtetasin Gj.K. dhe 2 vite burg për K.A., të akuzuar për moskallëzim krimi. Sipas hetimeve, ata kishin dijeni për personin të cilit i kishin shitur automjetin e përdorur në vrasje, por nuk kishin kallëzuar identitetin e tij.

Ndërkohë, për shtetasin E.H. është kërkuar dënimi me 5 vite burg, pasi dyshohet se ka ndihmuar autorin pas ngjarjes. Sipas Prokurorisë, ai e ka pritur V.K. në Mal të Zi, e ka shoqëruar gjatë largimit dhe i ka siguruar dhomë hoteli dhe akomodim.

Për shtetasin Z.K. është kërkuar dënimi me 2 vite burg, pasi dyshohet se ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë nga ambientet ku V.K. kishte drekuar dhe kishte kryer blerjen e automjetit.

Të gjitha këto kërkesa janë paraqitur nga Prokuroria e Tiranës në përfundim të hetimeve, ndërsa vendimi përfundimtar për fajësinë dhe dënimet e të pandehurve i takon gjykatës.