Ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila e shpalli të pafajshëm.
Breçani publikoi një foto bashkë me babanë e tij dhe tregoi se, pas vendimit, kishin shkuar te varrezat ku prehen nëna dhe vëllai i tij. Sipas tij, sot “drejtësia u vu në vend”.
“Miq të dashur, sot pas fjalës së drejtësisë unë dhe babai im shkuam aty ku prehen nëna dhe vëllai im i dashur që më ikën brenda një viti. Dhe sot do të dëshironim të ishin pranë nesh e të gëzonin për drejtësinë që u vu në vend. Ju falënderoj të gjithëve për telefonatat e mesazhet e shumta, për mbështetjen dhe përkrahjen që treguat gjatë këtyre 3 viteve përballje”, shkruan Breçani.
Breçani u arrestua më 20 nëntor 2023, në kuadër të operacionit “Metamorfoza 2”. SPAK e hetoi fillimisht pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionet e koduara. Akuza ishte se ai kishte investuar 350 mijë euro, të dyshuara si të ardhura nga trafiku i drogës, dhe ndaj tij u caktua masa “arrest në burg”.
Më 16 korrik 2024, Apeli i Gjykatës së Posaçme ia ndryshoi masën në “arrest në shtëpi”. Më 3 shkurt 2025, Gjykata e Posaçme shpalli moskompetencën dhe çështja kaloi në Gjykatën e Tiranës, e cila tani e ka shpallur të pafajshëm.




























