Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Sistemin Unik të gjobave gjatë një takimi me drejtuesit e institucioneve publike.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se me sistemin e ri merr fund epoka e gjobave që vendosen në copa letre dhe se çdo masë administrative e vendosur do të pasqyrohet në llogarinë e-Albania të çdo qytetari. Më tej ai shtoi së të gjithë efektivët e policisë dhe inspektorët në terren do të pajisen me kamera trupore që do të monitorojnë sjelljen ndaj qytetarëve.

“Besoj që është një tjetër stacion i rëndësishëm në rrugën e transformimit dhe të modernizimit të administratës, por dhe të marrëdhënieve të shtetit shqiptar me qytetarin, sepse më në fund krijohen të gjitha premisat që të mbyllet një epokë e gjatë e gjobave të vendosura mbi copa letre, të shkruara nganjëherë edhe në mënyrë të palexueshme .Ndërkohë që të gjitha institucionet që ju drejtoni, mund tani të hyjnë në një epokë të re të vendosjes së gjobës nëpërmjet mjeteve të teknologjisë digjitale, gjë që sjell në radhë të parë njoftimin e menjëhershëm të qytetarit përmes platformës “e-Albania”, e cila njëkohësisht çon në mënyrë automatike një mesazh në telefonin e qytetarit. Nga ana tjetër, të gjitha gjobat mblidhen në një bazë të dhënash dhe çdo qytetari i jepet mundësia që të kontrollojë tek mesazhet e tij në “e-Albania” gjobat që ka.

Po ashtu janë edhe kategorizimet e gjobave në databazë, që janë shumë të rëndësishme qoftë për institucionet, qoftë për Inspektoratin e Përgjithshëm për të parë se si ato janë të ndara në gjoba aktive, në gjoba të paguara, në gjoba të apeluara. Ndërkohë do të bëhet shumë më e lehtë që gjobat të mund, po ashtu, të paguhen drejtpërdrejt nga telefoni dhe të apelohen po ashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Ajo që besoj është e rëndësishme të nënvizohet, është që nuk ka më një proces gjobitjeje pa gjurmueshmëri. Garantohet një rrjedhë e njëjtë, një numër unik, bazë ligjore e qartë për të gjithë dhe identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjobat, gjë që i jep mundësi për institucionet dhe për drejtuesit e institucioneve që të shohin si në një hartë të gjitha proceset dhe po ashtu edhe sjelljen e të gjitha burimeve të tyre njerëzore.

Sigurisht që hapi tjetër është krijimi i regjistrit kombëtar të gjobave që praktikisht përmbyll një proces jo të lehtë për hir të vërtetës, sepse ka qenë një punë e gjatë për të ardhur deri këtu dhe dua të shtoj që së shpejti do të fillojë dhe zbatimi i atij projektit që kemi bërë publik, për pajisjen e të gjithë punonjësve të Policisë dhe inspektorëve të terrenit me kamera. Kamera trupi, të cilat do të jenë aktive gjatë gjithë kohës dhe të cilat do të jenë po ashtu pjesë e sistemit të Inteligjencës Artificiale që kemi, tanimë, ndërtuar në qendrën e madhe të monitorimit. Kjo do të bëjë që në kohë reale, sipas kodeve të përcaktuara, të ndiqet aktiviteti i çdo inspektori në terren, të shihet e gjithë vija e sjelljes së çdo punonjësi të Policisë dhe çdo inspektori në raport me qytetarin dhe të vlerësohen në kohë reale edhe situatat kur është nevoja për mbështetje, kur është nevoja për ndihmë dhe kështu me radhë.

Gjëja më e rëndësishme është që të gjitha këto së bashku krijojnë një nivel tjetër, e ngrenë në një nivel tjetër marrëdhënien e qytetarit me shtetin dhe të shtetit me qytetarin; krijojnë kushte tërësisht të reja për të përmirësuar në mënyrë të shpejtë dhe shumë të ndjeshme, të gjithë parametrat e sjelljes së administratës në raport me qytetarin, kur vjen fjala tek marrëdhëniet e drejtpërdrejta në territor. Dhe patjetër që krijojnë po ashtu kushte të reja për të vlerësuar të gjithë parametrat e tjerë të punës: lëvizjet, shpenzimet për karburantin, qëndrimet aktive në punë, në orarin e punës dhe qëndrimet pasive në orarin e punës, e kështu me radhë.

Kështu që unë nuk kam përveçse fjalë falenderuese për AKSHI-n, për drejtorin e AKSHI-t; për ADS-në, drejtorin e ADS-së, e cila po bëhet një forcë gjithmonë e më e pranishme në kapacitetet e shtetit për të thelluar procesin e digjitalizimit me një kompani publike të angazhuar që tanimë, ka dhe një kapacitet të konsiderueshëm burimesh njerëzore të kualifikuara falë edhe sistemit të brendshëm të pagave që ka kompania.

Besoj që ky është një moment pozitiv për të gjithë institucionet që ju drejtoni, por nga ana tjetër duhet që të gjithë të merrni masa që zbatimi i gjobave online dhe jo me letra, të realizohet një orë e më parë dhe të mos ketë justifikime për mungesë tabletash, për probleme teknike e kështu me radhë.

Kështu që i takon drejtpërdrejt Kryeinspektorit me Inspektoratin e Përgjithshëm që të monitorojnë procesin e zbatimit, i takon drejtpërdrejt drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit që është këtu i pranishëm që të ndjekë procesin e zbatimit dhe të gjitha ato mangësi të natyrës teknike që mund të jenë aktualisht, duhet menjëherë të bëhen me dije për titullarët e institucioneve qendrore, pra për ministrat, në mënyrë që ne të plotësojmë çdo lloj boshllëku që mund të jetë në aspektin e bazës materiale, kam parasysh këtu edhe njëherë tabletat, edhe nga ana tjetër në mënyrë që AKSHI dhe ADS-ja të jenë në dispozicion aty ku ka nevojë për asistencë teknike”, tha Rama.