Erion Veliaj i është drejtuar me një mesazh publik Belinda Ballukut, duke i kërkuar ndërhyrjen e saj për të mundësuar kryerjen e një operacioni në Tiranë, pranë mjekut të tij dhe familjes.
Në mesazhin e publikuar, Veliaj pretendon se prej një muaji po qëndron në izolim në IEVP Fier, me një këmbë të thyer dhe në nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale. Ai shprehet se kërkesat e përsëritura drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit Gogu dhe drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve nuk kanë marrë përgjigje.
Ajo që bie në sy në mesazhin e Veliajt është toni ironik me të cilin i drejtohet Ballukut. Përmes shprehjes “hallin tënd e zgjidh veç Bela”, ai vë në pikëpyetje autoritetin e kryeministrit Edi Rama në vendimmarrje, duke lënë të kuptohet se zgjidhja e çështjes së tij mund të vijë nga Balluku.
“Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se ‘Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim’ dhe se ‘hallin tënd e zgjidh veç Bela’”, shkruan Veliaj.
Mesazhin e tij ai e lidh edhe me ditën e “Pranisë Besnike”, duke iu drejtuar Ballukut me një kërkesë të drejtpërdrejtë për të aprovuar operacionin në kryeqytet.
“Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime”, shprehet ai.
Në fund, Veliaj e nënshkruan mesazhin me shprehjen “Socialisti me duar të lidhura”, duke ruajtur të njëjtin ton ironik që përshkon të gjithë komunikimin e tij.
Përmes këtij mesazhi, ish-kryebashkiaku jo vetëm që kërkon mundësinë për t’u operuar në Tiranë, por përcjell edhe një mesazh politik ndaj drejtuesve të mazhorancës, duke vënë në qendër të ironisë marrëdhënien mes pushtetit formal dhe atij që ai nënkupton se ushtrohet në praktikë.





























