Për herë të parë është publikuar një video e Klaudio Kananit, shqiptarit me origjinë nga Tepelena që i shpëtoi dënimit kapital në Kinë dhe aktualisht po vuan dënimin me 25 vite burg për trafik droge.
Në video,Kanani u drejtohet familjarëve dhe të afërmve të tij, duke i siguruar se është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Mos u bëni merak, jam mirë me shëndet. Më ka marrë malli për juve. Unë këtu jam mirë, por normal si në burg. Juve mos u shqetësoni për asnjë gjë, sepse unë nuk është se kam probleme, jam mirë”, thotë ai.
Kanani shpreson që shteti shqiptar të ndërhyjë për të mundësuar transferimin e tij nga Kina në Shqipëri, në mënyrë që pjesën e mbetur të dënimit ta vuajë në një burg shqiptar.
Gjykata e Apelit në provincën Guangdong ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për dënim kapital dhe ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, të dhënë në qershor 2025.
Sipas një zëdhënësi të gjykatës, Klaudio Kanani është dënuar me 25 vite burg pasi është gjetur fajtor për trafikimin e rreth 1 ton droge të nisur nga Hong Kongu.
Ndërkohë, për disa prej të bashkakuzuarve kinezë janë dhënë dënime kapitale.
Rasti i Kananit ka qenë prej kohësh objekt i përpjekjeve diplomatike të autoriteteve shqiptare. Familja e tij ka shprehur mirënjohje për ndërhyrjet e deritanishme dhe kërkon që tashmë të nisë procedura për transferimin e tij në Shqipëri, duke u mbështetur te marrëveshjet e reciprocitetit mes dy vendeve.



