Këngëtarja Xhensila Myrtezaj ka reaguar për herë të parë pas akuzave të Prokurorisë së Tiranës. Sipas mediave, ajo dyshohet për evazion fiskal në vlerën e rreth 6 milionë lekëve të reja, ose 60 milionë lekë të vjetra.

Myrtezaj i mohon kategorikisht akuzat. Ajo thotë se të gjitha të ardhurat nga veprimtaria e saj artistike janë të deklaruara, të faturuara dhe të gjurmueshme përmes sistemit bankar.

Sipas këngëtares, akuzat lidhen me “mungesën dhe pasaktësitë në dokumentacionin” e të ardhurave të saj për periudhën 2023-2024, që janë verifikuar nga organet tatimore.

“Unë nuk kam fshehur asnjë të ardhur. Të ardhurat e mia janë të ligjshme dhe vijnë nga veprimtaria artistike që ushtroj prej shumë vitesh. Ato janë faturuar përmes subjektit tim tatimor dhe janë lehtësisht të gjurmueshme në sistemin bankar”, shkruan ajo.

Myrtezaj thotë se, së bashku me studion ligjore që e përfaqëson, do të paraqesë aktet dhe provat zyrtare për të kundërshtuar çdo akuzë. Sipas saj, nuk mund të fshihet “ajo që ndodhet në sistemin e vetë administratës sonë tatimore”.

Këngëtarja mohon edhe shkrimet që e lidhin me fshehje pasurie apo me blerje pronash me burime të pajustifikuara. I quan ato “të pasakta” dhe thotë se akuzat nuk kanë të bëjnë me pasuri të krijuara prej saj.

Ajo kujton se akuzat nuk janë vendime gjykate dhe se kërkesa e Prokurorisë përmban vetëm pretendimin e njërës palë. “Unë prezumohem e pafajshme derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, sipas nenit 30 të Kushtetutës”, shkruan ajo. Sipas saj, titujt që e paraqesin evazionin si fakt të provuar e shkelin këtë parim.

Myrtezaj thotë se ka bashkëpunuar plotësisht me organet tatimore dhe me drejtësinë dhe se do të vijojë t’u vërë në dispozicion çdo dokument të kërkuar.

Në reagim ajo ka edhe një paralajmërim për mediat. Thotë se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj kujtdo që “shpik ose përhap të pavërteta” për të. Ajo shkruan gjithashtu se titujt e pavërtetë dhe përdorimi i fotove të saj për të ilustruar një akuzë të paprovuar i shkaktojnë dëm moral, profesional dhe familjar.

“Emri im nuk është material për klikime”, shkruan ajo. Ajo shton se nuk do të bëjë më komente publike dhe se përgjigjen do ta japë para organeve të drejtësisë.