Trafik i bllokuar këtë pasdite te mbikalimi i Selitës. Disa automjete u përplasën njëri pas tjetrit në Unazën e Madhe të Tiranës.

Aksidenti zinxhir ndodhi në një nga pikat më të ngarkuara të kryeqytetit. Pamjet që publikoi JOQ Albania tregojnë makinat e grumbulluara në mes të rrugës dhe një radhë të gjatë automjetesh pas tyre.

Sipas dëshmitarëve, në përplasje dyshohet se është përfshirë edhe një furgon. Drejtuesi i tij pretendohet se u fut mes automjeteve pa respektuar radhën.

Përplasja nuk pati pasoja për njerëzit. Deri tani nuk raportohet për të plagosur, ndërsa sipas dëshmitarëve të gjithë drejtuesit dolën në këmbë nga makinat.

Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po heton rrethanat e aksidentit dhe po punon që qarkullimi të rikthehet në normalitet. Deri në këto momente, trafiku në zonë mbetet i rënduar.