E ftuar përmes një lidhje live në emisionin “Tonight” me Mirela Milorin, gazetarja Denada Jushi komentoi mesazhin e ambasadorit amerikan, Wendt, gjatë takimit me prokurorët dhe hetuesit e SPAK-ut.
Jushi u shpreh se mesazhi i ambasadorit ishte i drejtpërdrejtë për prokurorët e pranishëm, të cilët, sipas saj, mund ta kenë lidhur menjëherë këtë deklaratë me dosjet që po hetojnë.
Ajo theksoi se SHBA-të po u japin institucioneve shqiptare mjetet dhe mundësinë për të siguruar prova, por përgjegjësia për të ditur se çfarë duhet kërkuar dhe për të vepruar në kohën e duhur u takon vetë prokurorëve.
“Për prokurorët që kanë qenë të pranishëm, secili prej tyre që ka një dosje e di se për çfarë e kishte fjalën konkretisht ambasadori amerikan. Ai u tha se, nëse deri më sot ne kemi qenë aty për t’ju ndihmuar për gjithçka tjetër, sot po ju japim mjetet. Duhet të kuptoni se ato duhen kërkuar në kohën e duhur dhe të mos krijoni më pas alibi se nuk i keni. Më i drejtpërdrejtë dhe më i qartë se kaq besoj se nuk mund të kishte qenë. Secili prej prokurorëve ka bërë llogaritë se çfarë kanë dosjet e tyre dhe për çfarë është folur nga ambasadori”, u shpreh Jushi.
Gazetarja veçoi edhe një tjetër mesazh të ambasadorit, që lidhet me ndikimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar përtej kufijve të Shqipërisë.
“Është e rëndësishme të thuash kohën kur duhet të veprosh. Ky është mesazhi i parë. Mesazhi i dytë është se ai thotë që krimi i organizuar po dëmton vendin tuaj dhe vendin tonë dhe janë zyrtarët e korruptuar ata që marrin paratë duke i nxjerrin dhe çuar në ekonominë evropiane”, përfundoi gazetarja Jushi.




























