Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka kërkuar këtë të enjte në Kuvend shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke u shprehur se është e nevojshme vijimi i punës për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Gjatë fjalës së tij, ai ka kritikuar mënyrën se si mazhoranca i ka kërkuar asistencë Komisionit të Venecias, duke theksuar se kërkesa duhet të përfshijë edhe çështjen e ndarjes së shtetit nga partia. Gjithashtu ai theksoi vendimi i Komisionit të Konsensusit ka qenë që ekspertët e Komisionit të Reformës të përfshihen në proces, veçanërisht për çështjen e ndarjes së shtetit nga partia, të cilën e cilësoi si rekomandim prioritar të OSBE/ODIHR-it.
“E kam kërkuar dhe e kërkoj edhe këtu zgjatjen e afatit të reformës zgjedhore. Sot ka ardhur Komisioni i Venecias për të na dhënë asistencë, por, për fat të keq, shkresa juaj e ka keqdrejtuar dhe e kanë instruktuar në atë formë, duke i kërkuar vetëm asistencë për ligjin e financimit të partive politike. Vendimi i Komisionit të Konsensusit ka qenë për t’i thirrur të gjithë ekspertët e Komisionit të Reformës, mbi të gjitha për ndarjen e shtetit nga partia, rekomandim prioritar i OSBE/ODIHR-it. OSBE/ODIHR-i na ka kërkuar të dijë nëse do të zgjatet mandati dhe nëse do të ofrojë asistencën, siç e kemi kërkuar ne në mënyrë konsensuale në komision. Kështu që, së pari, duhet të sqaroni Komisionin e Venecias se ajo që keni kërkuar është e pamjaftueshme dhe, së dyti, duhet të vendoset shtyrja”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu përgjigj kërkesës së deputetit demokrat, duke bërë të qartë se mandati i Komisionit të Reformës Zgjedhore përfundon më 30 nëntor dhe pas kësaj date nuk ka më të drejtë të marrë peng agjendën e anëtarësimit në BE.
“E ka afatin deri më 30 nëntor, pas kësaj date nuk e keni më të drejtën për të marrë peng agjendën tonë europiane. Ftesën e keni. Është hera e fundit që ne e zgjasim mandatin. I sigurt që do të rikthehemi sërish në një tjetër komision zgjedhor, por ky komision duhet të jetë serioz”, u shpreh Balla.



























