Prokuroria, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, ka nisur hetimet ndaj zinxhirit drejtues të Policisë së Korçës pas vrasjes së efektivit të forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, dhe plagosjes së kolegut të tij, Edison Adri, gjatë aksionit për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Bracellari.
Hetimi synon të përcaktojë nëse për kapjen e Bracellarit kishte një plan operacional të plotë dhe nëse ishin analizuar paraprakisht të gjitha rreziqet përpara dërgimit të efektivëve në terren.
Prokuroria po kryen disa akt-ekspertime, përfshirë kontrollin e armëve të përdorura nga efektivët, pajisjeve antiplumb dhe mënyrës së ndërhyrjes gjatë operacionit.
Policia ka deklaruar se në aksion morën pjesë 10 efektivë dhe se ndërhyrja ishte e planifikuar.
Mekolli u qëllua për vdekje teksa forcat policore iu afruan stanit ku qëndronte Bracellari, në zonën e Malit të Bodesë, në Maliq. Në përleshje u plagos edhe efektivi Edison Adri.
Bracellari ishte i dënuar me 10 vite burg për trafik narkotikësh dhe konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë. Ai jetonte prej kohësh në arrati në një zonë të thellë malore, ku kishte ngritur edhe një stallë me fonde të AZHBR-së, çështje që po hetohet gjithashtu.
Një tjetër pistë e hetimit lidhet me dyshimet për lidhje të Bracellarit me persona brenda Policisë, të cilët mund ta kenë ndihmuar të qëndronte në arrati. Deri më tani, sipas të dhënave të bëra publike, kjo pistë nuk ka prodhuar rezultate konkrete.


