Situata në Qarkun e Shkodrës pas reshjeve të shiut paraqitet e qetë dhe e qëndrueshme. Pavarësisht reshjeve të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit, deri mëngjesin e sotëm nuk raportohen problematika të rëndësishme apo emergjenca civile.
Sipas informacionit zyrtar nga Prefektura e Qarkut Shkodër, problematikat e evidentuara lidhen kryesisht me disa raste të rënies së gurëve në rrugë rurale. Strukturat përgjegjëse të bashkive janë në terren për verifikimin e situatës dhe pastrimin e akseve të prekura, me qëllim garantimin e qarkullimit normal të automjeteve.
Ndërkohë, të dhënat e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë tregojnë se në 24 orët e fundit janë regjistruar rreth 50 milimetra reshje shiu. Megjithatë, deri tani nuk janë konstatuar probleme në veprat kulluese dhe mbrojtëse nga uji.
Edhe nivelet e ujit në lumin Drin, Liqenin e Shkodrës dhe në Digën e Shtodrit vijojnë të jenë nën kuotat e rrezikut. Hidrovorët janë funksionalë dhe në gatishmëri për të punuar me kapacitet të plotë, në rast nevoje.
Prefektura e Qarkut Shkodër bën me dije se monitorimi i situatës vijon në mënyrë të vazhdueshme, në koordinim me institucionet dhe strukturat përgjegjëse, të cilat mbeten në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike.




























