Një konflikt familjar për motive pronësie rrezikoi të përshkallëzohej në një ngjarje të rëndë kriminale në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë.

Policia finalizoi operacionin e koduar “Lidhja”, duke arrestuar në flagrancë një 47-vjeçar, i cili dyshohet se ka kanosur me armë zjarri vëllanë e tij gjatë konfliktit.

Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi një pistoletë, dy krehra dhe 30 fishekë.

47-vjeçari rezulton gjithashtu me precedent kriminal për trafikim të lëndëve narkotike.

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe shmangien e një ngjarjeje me pasoja më të rënda.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.