BallinaOpinionPër Gjykatën e Dhomës së Gjumit, që e kemi shpikur

Për Gjykatën e Dhomës së Gjumit, që e kemi shpikur

Publikuar më

spot_imgspot_img

Nga Filip Çakuli

Në Shqipëri duket se kemi shpikur një gjykatë të re: Gjykatën e Dhomës së Gjumit. Nuk ka Kushtetutë, nuk ka prokuror, nuk ka prova. Ka një telefon, një video dhe një turmë që jep verdiktin para se të nisë hetimi. Por një video intime nuk bëhet çështje publike vetëm sepse njëri prej personave është figurë publike.

Dhoma e gjumit nuk është zyrë shteti.

Pyetjet e para janë juridike: Kush e regjistroi? Kush e publikoi? Pse? A pati shantazh? Këto kërkojnë prova, jo hamendësime.

Pastaj vjen pyetja politike: a ka lidhje ajo që ndodhi me ushtrimin e detyrës publike? Këtu është kufiri.

Një politikan nuk dorëzon jetën private kur merr mandatin. Por, nëse sjellja private lidhet me korrupsion, konflikt interesi, abuzim me pushtetin, detyrim apo mashtrim në ushtrimin e detyrës, atëherë privatja prek publikun.

Dhe pikërisht këtu hyn morali. Sepse morali politik nuk është kontrolli i dhomës së gjumit të politikanit. Është pyetja nëse sjellja e tij përputhet me besimin që kërkon nga qytetari.

Kjo është arsyeja pse ligji dhe morali nuk mund të zëvendësojnë njëri-tjetrin.

Gjykata pyet: A ka vepër penale?

Morali pyet: A është sjellja e denjë për besimin që kërkon kjo figurë?

Politika pyet: A e dëmton kjo besimin publik?

Një përgjigje “jo” nga gjykata nuk është automatikisht një përgjigje “po” nga morali. Dhe një gjykim moral negativ nuk e shndërron automatikisht sjelljen në krim.

Shembulli klasik është Bill Clinton dhe Monica Lewinsky. Marrëdhënia u pranua nga Clinton si e papërshtatshme, ndërsa vetë debati institucional amerikan u përqendrua nëse çështja private kishte kaluar në territorin e sjelljes publike, sidomos përmes dëshmisë dhe pretendimeve për pengim të drejtësisë.

Pra, nuk ishte thjesht pyetja se çfarë kishte bërë Clinton në jetën intime. U bë pyetja se çfarë kishte bërë dhe thënë një president kur përballej me përgjegjësinë publike.

Ky është dallimi.

Në Romën e lashtë, Pompeia, gruaja e Jul Çezarit, u përfol për një marrëdhënie të papërshtatshme dhe u shpall e pafajshme në gjykim. Por prej kësaj historie mbeti ideja e famshme dhe thënia “nuk mjaton që dole e pafajshme, por je gruaja e Çezarit”. Se gruaja e Çezarit duhej të ishte “mbi dyshimin”.

Sot kjo nuk mund të jetë standard juridik. Por është një metaforë e fortë për politikën: ligji kërkon prova, morali kërkon karakter, politika jeton nga besimi.

Prandaj, në rastin e videove intime, nuk duhet bërë një sallatë mes tyre.

Kush e regjistroi dhe kush e publikoi ,çështje ligjore.

Nëse pati shantazh, çështje provash.

Nëse u cenua privatësia, çështje e të drejtave të personit.

Nëse sjellja lidhet me pushtetin, çështje e përgjegjësisë publike.

Dhe nëse ajo sjellje prek besimin e qytetarëve, atëherë kemi hyrë në territorin e moralit politik.

Sepse një figurë publike nuk duhet të gjykohet për çdo sekret të dhomës së gjumit. Por as nuk mund të kërkojë që çdo pasojë e sjelljes së vet, kur ajo prek besimin publik, të fshihet pas derës së privatësisë.

Ligji mund të thotë: “Nuk ka krim.”

Morali mund të thotë: “Ka humbur besimi.”

Të dyja mund të jenë të vërteta njëkohësisht.

Dhe ky është paradoksi që videot intime e nxjerrin në shesh: gjykata mund të mbyllë një dosje, por politika nuk mbyllet me një vendim gjykate. Sepse ligji vendos nëse dikush duhet të dënohet.

Publiku vendos nëse ende duhet t’i besojë. Dhe besimi publik, ndryshe nga një video në telefon, nuk ka buton “delete”.

spot_img

Artikujt e fundit

Videot intime të personazheve publike, reagon Aurela Gaçe: Do të ndërmarr hapa ligjore, dinjiteti im s’mund të përdhoset

Ditët e fundit, rrjetet sociale dhe portalet online janë përfshirë nga një valë aludimesh...

A ranë shqiptarët pre e një virusi nga videot intime që u shpërndanë dje?

Shpërndarja masive e videove intime gjatë ditës së djeshme në WhatsApp dhe rrjete të...

Kanosi me kallashnikov 69-vjeçarin në Durrës pas një konflikti, arrestohet 36-vjeçari

Një 36-vjeçar është arrestuar në Durrës pasi dyshohet se ka kanosur me kallashnikov një...

Pas ngjarjes që publikoi AT, kthehet në Mamurras ambulanca

"Albania Today" denoncoi pak ditë më parë një problematikë të mprehtë në Mamurras ku...

Më shumë

Videot intime të personazheve publike, reagon Aurela Gaçe: Do të ndërmarr hapa ligjore, dinjiteti im s’mund të përdhoset

Ditët e fundit, rrjetet sociale dhe portalet online janë përfshirë nga një valë aludimesh...

A ranë shqiptarët pre e një virusi nga videot intime që u shpërndanë dje?

Shpërndarja masive e videove intime gjatë ditës së djeshme në WhatsApp dhe rrjete të...

Kanosi me kallashnikov 69-vjeçarin në Durrës pas një konflikti, arrestohet 36-vjeçari

Një 36-vjeçar është arrestuar në Durrës pasi dyshohet se ka kanosur me kallashnikov një...