Teatri i Kukullave në Tiranë nuk do të shndërrohet në qendër kulturore hebraike dhe as nuk do të ndryshojë destinacion. Këtë e ka bërë me dije vetë ministri Blendi Gonxhja, duke përgënjeshtruar pretendimet që po qarkullojnë në media dhe rrjetet sociale për të ardhmen e godinës historike.
“Pretendimet që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale për ndryshimin e funksionit të godinës historike të Teatrit të Kukullave nuk qëndrojnë. Jo se qendrat e kulturave të tjera janë herezi, aspak, por se është e gabuar të përdoret një realitet kaq simbolik duke e përshkruar si të zëvendësueshëm nga diçka që për shkak të aktualitetit do krijonte një ngarkesë të re që të ushqente fantazi e paranoja absurde” tha Gonxhja.
“E vërteta është se Teatri i Kukullave vijon të jetë një nga qendrat më të dashura kulturore për fëmijët dhe familjet në Tiranë. Një hapësirë ku arti, imagjinata dhe edukimi bashkohen çdo ditë përmes shfaqjeve dhe aktiviteteve të shumta, për të cilat mbahet radhë. Vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2026, Teatri i Kukullave ka realizuar 158 shfaqje, atmosferë magjike e argëtim, ndjekur nga 16,725 spektatorë.
Krenari e mirënjohje për menaxhimin profesional e të pakursyer. Godina historike, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të kryeqytetit, është restauruar dhe rijetëzuar përmes programit EU4Culture, të financuar nga Bashkimi Europian dhe të zbatuar nga UNOPS, duke u rikthyer në funksion të plotë për publikun sipas projektit tonë. Sot, përveç skenës teatrore, kjo godinë mirëpret edhe Ekspozitën Muzeale të Kukullave dhe Ekspozitën Muzeale të ish-Parlamentit, duke ndërthurur krijimtarinë artistike me historinë, nostalgjinë dhe kujtesën tonë kombëtare.Teatri i Kukullave ka një identitet të qartë, një program të vazhdueshëm dhe mijëra spektatorë që i japin jetë! Respekti për ndjeshmëritë e njerëzve duhet të prijë çdo publikim e sidomos çdo debat, duke evituar dezinformimin” shton më tej Gonxhja.
Reagimi i Gonxhes vjen pasi në shumë faqe interneti u raportua për intervistën e gazetarit Blendio Fevziu, i cili i ftuar në podcastin “Pjaca në Media Radar”, shprehu keqardhjen e tij për një vendim që ai thotë se është bërë publik, kthimin e Teatrit të Kukullave në qendër hebraike pa patur asnjë lidhje me këtë kulturë.
Duke rrëfyer edhe historikun e kësaj godine ku u shpall Mbretëria Shqiptare, Fevziu tha se nuk ka asnjë arsye përse të kthehet në qendër hebraike.
“Unë kam insistuar vazhdimisht dhe kam ngritur shqetësimin nëse ndodh që Teatri i Kukullave të kthehet në një qendër hebraike, siç pretendohet. E di që kjo është bërë publike dhe shpresoj që të mos ndodhë.
Nuk ka lidhje me historinë hebraike. Aty austriakët nisën të ndërtonin një shtëpi oficerësh, por përfunduan vetëm themelet. Në vitin 1920, kur qeveria e Kongresit të Lushnjës erdhi në Tiranë, pati shumë debate. Në vitin 1923, kur u kuptua se Tirana do të mbetej kryeqytet, parlamenti, me një votim unanim, vendosi që buxhetin e parë, në një kohë kur nuk kishte para, ta investonte për ndërtimin e parlamentit të parë të Shqipërisë.”, tha Fevziu në intervistë.
Mirëpo vetë ministri i turizmit mohon kategorikisht raportimet se Teatri i Kukullave në Tiranë do të shndërrohet në qendër kulturore hebraike.




























