Aksidenti i rëndë i ndodhur pasditen e sotme pranë fshatit Çukas të Lushnjës ka përfunduar në një tragjedi familjare. Dy gratë që humbën jetën pasi automjeti doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal me ujë ishin motra me njëra-tjetrën.
Viktimat janë identifikuar si Florije Xhepa, 53 vjeçe, dhe motra e saj Mirela Hasko, 50 vjeçe.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti drejtohej nga Florije Xhepa, ndërsa Mirela ndodhej në sediljen e pasagjerit. Për shkaqe që ende nuk janë bërë të qarta, drejtuesja dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin, i cili është përmbysur dhe ka përfunduar në kanalin e mbushur me ujë.
Të dyja motrat kanë mbetur të bllokuara brenda automjetit dhe, pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve, nuk kanë mundur të shpëtojnë.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, ndërsa policia po punon për të dokumentuar dinamikën e plotë të aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë ngjarje tragjike.


