Studentët janë organizuar për herë të parë që prej protestave dhe kanë zhvilluar një takim në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës.

Ky organizim është quajtur Lëvizja Studentore Kombëtare dhe vjen në kuadër të organizimit dhe konsolidimit të strukturave të saj në universitetet e Shqipërisë.

Në një deklaratë për mediet, Lëvizja Studentore Kombëtare shprehu angazhimin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, forcimin e demokracisë dhe ndryshimin e sistemit politik postkomunist në Shqipëri.

Studentët theksuan se janë pjesë e protestave qytetare që prej 31 majit 2026, duke vlerësuar kontributin e qytetarëve, aktivistëve, profesionistëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve nga Shqipëria dhe diaspora. Sipas tyre, pjesëmarrja masive e gjimnazistëve dhe studentëve, duke nisur nga 13 tetori 2026, shënoi një fazë të re të protestës.

Gjithashtu theksuan se “Lëvizja Studentore Kombëtare është vijimësi e natyrshme e revoltës qytetare, jo zëvendësim i saj”.

Sipas tyre, “si dy krahë të të njëjtit trup, synojmë të përforcojmë njëri-tjetrin në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, duke i shtuar protestës zërin dhe propozimet që burojnë nga shqetësimet tona si studentë. Ky organizim ka lindur nga studentët dhe është i tërësisht i pavarur”.

Në mesazhin e tyre ata nënvizuan se “rinia shqiptare nuk duhet të zgjedhë më ndërmjet së ardhmes së saj dhe atdheut. Ajo duhet të ketë mundësinë dhe mbështetjen për të jetuar me dinjitet, për t’u arsimuar, punuar, ndërtuar një jetë të suksesshme dhe krijuar familje në Shqipëri, duke garantuar vazhdimësinë e kombit shqiptar në trojet e veta”.

“Arsimi cilësor, punësimi dhe barazia e mundësive, pa diskriminim, varen drejtpërdrejt nga mënyra e qeverisjes dhe llogaridhënia institucionale. Pikërisht për këtë arsye, në vijim, do të paraqesim për diskutim publik propozimet tona”, thuhej në deklaratën e tyre.

Po ashtu lëvizja njoftoi se në vijim do të paraqesë për diskutim publik propozime juridike dhe politike, të cilat synojnë të kontribuojnë në reformimin e sistemit dhe garantimin e llogaridhënies institucionale.

“Reforma e vërtetë nuk matet vetëm nga ndryshimi i emrave në pushtet, por nga cilësia e rregullave që e kufizojnë atë, mbrojnë votën dhe garantojnë llogaridhënien”, thuhet në deklaratë.

Ata bëjnë të ditur se organizimi nuk ka kryetar dhe se synimi nuk është përfaqësimi i njëanshëm i të gjithë studentëve, por krijimi i një hapësire të hapur për diskutim, pjesëmarrje dhe vendimmarrje të përbashkët.

“Ne duam të kultivojmë kulturën e demokracisë, që ka munguar në Shqipëri deri më sot. Lëvizja Studentore Kombëtare po ngrihet sepse ne nuk duam të largohemi nga atdheu ynë. Duam të ndërtojmë një të ardhme këtu, dhe duam të kemi një rol aktiv në ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë, ku të rinjtë nuk kanë pse të ikin. E ardhmja demokratike kërkon pjesëmarrje të informuar, institucione funksionale dhe llogaridhënie të detyrueshme. Të fillojmë punën pa humbur kohë, së bashku!”.