Kontrollet për evidentimin e sendeve të ndaluara në burgun e Korçës kanë çuar në zbulimin e një sasie të dyshuar lënde narkotike të llojit cannabis sativa. Gjatë kontrollit të ushtruar ditën e sotme, te një i dënuar shtetasi A.Z., janë gjetur dy porcione me lëndë të dyshuar narkotike.

Kontrollet janë kryer nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në bashkëpunim me IEVP Korçë. Në lidhje me rastin, ndaj të dënuarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Njoftimi i plotë:

Në datën 27.11.2026, Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në bashkëpunim me IEVP Korçë ka ushtruar kontroll për sende të ndaluara, ku gjatë kontrollit fizik të shtetasit të dënuar A.Z, ku i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sattiva, e ndarë në 2 (dy) porcione.

Nga AMSEVP janë kryer veprimet e para procedurale, në përfundim të të cilave materialet proceduriale u dërguan për veprime të mëtejshme në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, në gjendje të lirë, në ngarkim të të burgosurit shtetasit A.Z për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit te vendimeve penale” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 324/a dhe 283/1 të Kodit Penal.