Tetë persona raportohet se kanë mbetur të lënduar deri në këto momente në protestën kombëtare që është duke u zhvilluar në Tiranë, në këtë 28 Nëntor, ku në vend të festës për Ditën e Pavarësisë protestohet për largimin e qeverisë.
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur të lënduar një efektiv policie, dy përfaqësues të medias, njëri prej të cilëve shtetase e huaj, si dhe protestues. Ministria e Shëndetësisë raporton se të gjithë janë koshientë dhe në gjendje shëndetësore stabël, ndërsa po marrin trajtim në urgjencë.
Ndërkohë, ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore kanë trajtuar në vendngjarje edhe tre protestues të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e mirë. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk është paraqitur asnjë person i lënduar deri në këto momente, ora 14:00.
Plumbat e gomës, gazi dhe uji nuk i trembin protestuesit. Siç shihet nga pamjet, të rinjtë kanë arritur të detyrojnë uniformat blu të sprapsen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pavarësisht inkursionit që morën në fillim.
Fillimisht, Policia e Shtetit ka mbajtur një prani të ulët publike, por sapo kanë nisur sulmet ndaj efektivëve, menjëherë në rrugë kanë dalë dhe makinat ujëhedhëse, në kundërpërgjigje të akteve të dhunës.
Momentalisht, turma e protestuesve dhe Policia ndodhen në kryqëzimin e ish-Hotel Dajtit ku vazhdojnë hedhjet e molotovëve dhe kundërpërgjigja me ujë e gaz lotsjellës. Deri në këtë pjesë të bulevardit, kontrollin e ka Policia.




























