Ditën e sotme nga Qeveria janë miratuar disa vendime, ku një ndër pikat bën pjesë edhe Agjencia e Mbikëqyrjes së Burgjeve dhe familjarët e tyre.

Në vendimin e tyre, unonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe drejtuesi i saj do të përfitojnë mbrojtje të posaçme në rast se kërcënohen për shkak të detyrës.

Gjithashtu, bëhet me dije se ky propozim ka ardhur nga ministri i Drejtësisë dhe përcakton kushtet dhe procedurat për garantimin e mbrojtjes së veçantë të punonjësve të këtij institucioni, kur për shkak të ushtrimit të detyrës përballen me ërcënime nga persona të tretë. Ndërkohë, parashikohet ruajtje dhe shoqërim fizik jo vetëm për punonjësit e rrezikuar, por edhe për familjarët e tyre, si dhe masa për mbrojtjen e pronës.

Për vlerësimin e rasteve do të ngrihet një Komision për Vlerësimin e Kërcënimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë. Në përbërje të tij do të jenë drejtues të strukturave të hetimit, analizës, sigurisë, inspektimit dhe ankesave, si dhe përfaqësues të degëve territoriale.

Kërkesën për përfitimin e mbrojtjes mund ta bëjë vetë punonjësi, strukturat e Agjencisë apo institucione të tjera publike që kanë informacion për një kërcënim serioz.

Komisioni do të shqyrtojë kërkesën brenda 10 ditëve dhe do të propozojë masat që duhet të merren. Vendimi përfundimtar do të miratohet nga drejtori i përgjithshëm, i cili do të përcaktojë edhe afatin e mbrojtjes, mënyrën e zbatimit dhe kostot financiare.

VENDIMI I PLOTË:

PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË MËNYRËS SË MBROJTJES SË VEÇANTË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM  DHE TË PUNONJËSIT OPERACIONAL TË AGJENCISË SË MBIKËQYRJES NË SISTEMIN E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE, KUR U KËRCËNOHET JETA, FAMILJA DHE PRONA PËR SHKAK TË DETYRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 63, të   ligjit nr.28/2026, “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Drejtori i Përgjithshëm dhe punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (në vijim, punonjësi i Agjencisë), të cilit/të cilëve, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, i/u kërcënohet jeta, familja dhe prona nga veprime të paligjshme të të tretëve, i/u sigurohet mbrojtje e veçantë.

2. Me mbrojtje të veçantë kuptohen masat me karakter organizativ për sigurimin e ruajtjen e veçantë të jetës, të familjes dhe të pronës së punonjësit të Agjencisë të kërcënuar, si dhe çdo masë tjetër, që lidhet me këtë mbrojtje.

3. Punonjësi i Agjencisë i kërcënuar përfiton mbrojtje të veçantë, nëse plotësohen kushtet e mëposhtme:

a) Prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e punonjësit të Agjencisë;
b) Gjendja e punonjësit të Agjencisë në një situatë, që kërkon kryerjen e veprimeve apo marrjen e masave të menjëhershme për ta zgjidhur atë, si dhe për të shmangur çdo lloj dëmtimi të mundshëm;
c) Prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe rrezikut të dëmtimit me ushtrimin e ligjshëm të detyrës.

4. Mënyrat e mbrojtjes së veçantë konsistojnë në:

a) ruajtjen apo shoqërimin fizik të punonjësit të Agjencisë të rrezikuar;
b) ruajtjen apo shoqërimin fizik të familjarëve të rrezikuar të punonjësit të Agjencisë;
c) ruajtjen e pronës së punonjësit të Agjencisë të rrezikuar.

5. Mbrojtja e veçantë për punonjësin e Agjencisë bëhet me vendim të komisionit për vlerësimin e kërcënimeve (KVK), i cili ngrihet e funksionon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sistemit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

6. Komisioni për vlerësimin e kërcënimeve përbëhet nga:

a) drejtori i Drejtorisë së Hetimit                                               (kryetar);
b) drejtori i Drejtorisë së Analizës dhe Sigurisë                         (anëtar);
c) drejtori i Drejtorisë së Inspektimit dhe Ankesave                  (anëtar);
ç)  drejtuesi i Degës Territoriale                                                  (anëtar);
d) drejtuesi i Degës Territoriale, ku banon personi i kërcënuar  (anëtar).

7. Kërkesa me shkrim për mbrojtje të veçantë të punonjësit të Agjencisë  të kërcënuar i paraqitet komisionit për vlerësimin e kërcënimeve nga:

a) punonjësi i Agjencisë, që i kërcënohet jeta, familja apo prona;
b) strukturat e Agjencisë, që marrin dijeni për praninë e rrethanave serioze, të cilat i rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të Agjencisë;
c) çdo organ tjetër publik, që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të Agjencisë.

8. Kërkesa për mbrojtje të veçantë përmban:

a) gjenealitetet e plota të punonjësit të Agjencisë të kërcënuar;
b) një përmbledhje të fakteve e të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për punonjësin e Agjencisë, të cilat e detyrojnë atë të kërkojë mbrojtje të veçantë, si dhe burimin e provave, ku ato bazohen.

9. Komisioni për vlerësimin e kërcënimeve, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës për mbrojtje të veçantë, vendos:

a) pranimin e kërkesës, duke përcaktuar edhe masat konkrete të mbrojtjes;
b) mospranimin e kërkesës.

10. Vendimi i komisionit të vlerësimit të kërcënimeve miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë dhe përmban:

a) pjesën hyrëse, ku pasqyrohen subjekti që ka bërë kërkesën, koha dhe vendi i marrjes së vendimit, si dhe përbërja emërore e komisionit;
b) pjesën përshkruese, ku jepen rrethanat që e kanë shtyrë subjektin për të bërë kërkesën, veprën penale të dyshuar që do të kryhet, personalitetin e të kërcënuarit, rrezikshmërinë shoqërore të kërcënimeve dhe vlerësimet për të dhënat që zotërohen rreth një fakti të tillë;
c) pjesën vendimmarrëse, ku përcaktohen masat konkrete për mbrojtjen e veçantë, kohën, ekzekutuesin e vendimit, afatin e zgjatjes së masave, shpenzimet dhe subjektin që do t’i përballojë këto shpenzime.

11. Në vendimin e komisionit për vlerësimin e kërcënimeve për sigurimin e mbrojtjes së veçantë përcaktohen mënyrat e mbrojtjes dhe kohëzgjatja e saj.

12. Krahas marrjes së masave mbrojtëse, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sistemit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale bashkëpunon me institucionet e tjera për marrjen në vazhdimësi të informacioneve, në funksion të parandalimit të ngjarjeve të mundshme kriminale në drejtim të punonjësit të AMSEVP-së të marrë në mbrojtje, të familjes dhe të pronës së tij.

13. Në rastet kur punonjësi i Agjencisë i kërcënuar ushtron detyrën larg vendbanimit dhe familjes së tij, masat urgjente mbrojtëse merren sipas nevojës për të dhe për familjen, në funksion të mbrojtjes e në varësi të intensitetit që ka kërcënimi.

14. Në rastin e një rreziku serioz dhe të çastit, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale urdhëron strukturat përkatëse në Agjenci të marrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e jetës, të familjes e të pronës së punonjësit të kërcënuar të Agjencisë. Komisioni i vlerësimit të kërcënimeve, brenda 10 (dhjetë) ditëve, vlerëson masat e marra nga strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe vendos për vazhdimin ose jo të tyre.

15. Dispozitat e mësipërme zbatohen edhe për rastet e kërcënimit të jetës, të familjes apo të pronës së drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

16. Në rastin kur kërkuesi për mbrojtje të veçantë është drejtori i Përgjithshëm i  Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, kërkesa paraqitet pranë ministrit përgjegjës për çështjet e drejtësisë, i cili urdhëron marrjen e masave për ofrimin e mbrojtjes së veçantë.

17. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU