Një grup studentësh, së bashku me të rinj atdhetarë, profesionistë nga fusha të ndryshme dhe përfaqësues të diasporës, kanë njoftuar themelimin e një partie të re politike me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”.
Në një deklaratë për mediat, një prej studenteve që përfaqëson grupin bëri me dije se nisma është e hapur për të gjithë ata që besojnë se Shqipëria mund të qeveriset mbi bazën e drejtësisë, meritokracisë, përgjegjësisë dhe transparencës.
Një ditë më pas ka reaguar Lëvizja Studentore Kombëtare ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit, duke mohuar çdo përfshirje në krijimin apo strukturat e ndonjë partie politike.
Përmes një deklarate, LSK sqaron se nuk është pjesë e asnjë force politike, ndërsa thekson se beson te fuqia e studentëve për t’u organizuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe horizontale.
Lëvizja nënvizon se vendimmarrja duhet të bëhet në mënyrë demokratike, përmes diskutimit dhe organizimit të përbashkët të studentëve.
Reagimi i Plotë:
Lëvizja Studentore Kombëtare nuk është pjesë e ndonjë partie politike! Duke marrë shkas nga pyetjet e shumta mbi ngjarjet e fundit, sqarojmë se LSK nuk është e përfshirë në krijimin apo strukturat e ndonjë partie politike.
Ne besojmë në forcën e madhe që studentët kanë nëse organizohen së bashku, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe horizontale, ku diskutojnë dhe marrin vendime në mënyre demokratike.




























