Një rast i rëndë abuzimi seksual me një të mitur ka tronditur Shkodrën. Sipas informacioneve të para, një vajzë 13-vjeçare dyshohet se është abuzuar seksualisht nga disa persona, gjatë një jave që kaloi larg shtëpisë.

Rasti u zbulua pas denoncimit të nënës. Mësohet se deri tani janë arrestuar të paktën katër persona, ndërsa disa të tjerë janë në kërkim. Hetuesit dyshojnë se numri i të përfshirëve mund të jetë shtatë ose më shumë.

Si u zbulua ngjarja

Sipas informacioneve, para rreth dy javësh, nëna e kishte përcjellë vajzën në shkollë si çdo ditë. Atë mëngjes, 13-vjeçarja nuk hyri në mësim. Ajo doli nga shkolla dhe u nis me autobus drejt Tiranës.

Hetimet tregojnë se gjatë kësaj kohe e mitura lëvizi e vetme, herë me autobus e herë me taksi, nëpër disa qytete të vendit: Fier, Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Burrel, dhe në fund u kthye në Tiranë. Atje u gjet falë reagimit të autoriteteve.

Dyshohet se në këto qytete persona të ndryshëm kanë abuzuar seksualisht me të. Sipas hetimit, abuzuesit e kishin njohur rastësisht.

Paratë “për t’i mbyllur gojën”

Në disa prej rasteve, hetuesit dyshojnë se abuzuesit i kanë dhënë para të miturës, edhe për ta penguar që të denonconte.

Hetimi deri tani nuk ka gjetur të dhëna që vajza të ishte nën kontrollin e një personi që e shfrytëzonte. Mbetet ende e paqartë pse ajo u largua nga Shkodra.

Ku ndodhet tani e mitura

13-vjeçarja ndodhet në një qendër sociale në Tiranë, në gjendje të rëndë psikologjike, nën kujdesin e psikologëve, mjekëve dhe punonjësve socialë. Rasti po ndiqet nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria.

Policia vijon hetimet për të arrestuar të gjithë personat e përfshirë. Operacioni nuk ka përfunduar ende, dhe në ditët në vijim pritet një njoftim zyrtar për shtyp.